Në Riad, kryeqytetin e Arabisë Saudite, po mbahen sot bisedimet e para ballë për ballë mes SHBA-së dhe Rusisë që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës.
Këto negociata, të cilat përjashtojnë Ukrainën dhe vendet evropiane, synojnë të eksplorojnë mundësinë e një marrëveshjeje për përfundimin e luftës.
Delegacioni rus kryesohet nga Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov dhe këshilltari i Kremlinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov.
Nga ana amerikane, në takim marrin pjesë Sekretari i Shtetit Marco Rubio, këshilltari për sigurinë kombëtare Mike Waltz dhe i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, një biznesmen dhe mik i afërt i Donald Trump.
Sipas Uashingtonit, këto bisedime shihen si një test për të kuptuar nëse Moska është e gatshme të negociojë sinqerisht për t’i dhënë fund konfliktit.
Rusia, nga ana tjetër, i cilëson takimet si një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve me SHBA-në dhe po ashtu synon të përgatisë terrenin për një takim të mundshëm mes Donald Trump dhe Vladimir Putin.
Moska ka insistuar se këto negociata janë rreptësisht dypalëshe, ndërsa Kievi ka reaguar ashpër, duke deklaruar se nuk do të njohë asnjë marrëveshje që do të arrihet pa pjesëmarrjen e Ukrainës.