Skip to content
Politikë

Kuvendi shqyrton ndryshimet në Kodin Zgjedhor, rendi i ditës

· 2 min lexim

Sot, Kuvendi i Shqipërisë zhvillon seancën plenare me të njëjtin rend dite si ai i së enjtes së kaluar, i cili u ndërpre pas incidenteve mes deputetëve.

Seanca e kaluar u pezullua nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, pasi deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, tentoi të godiste me shishe uji ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.

Në këtë seancë, Kuvendi pritet të shqyrtojë disa projektligje të rëndësishme, përfshirë:

• Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, me synimin për të përshtatur disa dispozita ligjore në funksion të procesit zgjedhor.

• Ratifikimi i një vendimi të Komitetit të Përbashkët të Konventës Rajonale Pan-Euro-Mediteriane, që lidhet me përdorimin e certifikatave të qarkullimit elektronik në kuadrin e kësaj marrëveshjeje.

• Ndryshime në ligjin për trajtimin dhe kompensimin e pronave, duke sjellë përmirësime në procesin e kompensimit të pronarëve.

Gjithashtu, pritet të diskutohen dhe miratohen projektvendime për:

• Zgjedhjen e kryetarit dhe një anëtari të Këshillit Drejtues të AKEP-it.

• Emërimin e Avokatit të Popullit.

• Emërimin e anëtarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, i cili do të mbajë funksionin e Kryetarit të Bordit.

• Miratimin e fondit për financimin e partive pjesëmarrëse në zgjedhjet e vitit 2025.

Po ashtu, në rend dite janë dhe lirimi dhe shkarkimi i disa anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar, përfshirë Gëzim Podgoricën, Genc Përmetin dhe kryetarin aktual të Këshillit, Leka Bungo.

Seanca pritet të jetë e tensionuar për shkak të debateve politike dhe polemikave të fundit në Kuvend.