Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, dhe kreu i SPAK, Altin Dumani, zhvilluan një takim për të forcuar mekanizmat institucionalë në luftën kundër krimeve zgjedhore.
SPAK synon një qasje më proaktive, duke rritur monitorimin dhe ndërhyrjet në kohë reale gjatë proceseve zgjedhore.
Një nga pikat kryesore të diskutimit ishte krijimi i një Protokolli të Koordinimit Institucional, i cili do të mundësojë komunikim të hapur 24/7 mes KQZ-së, SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme.
Ky protokoll parashikon ngritjen e strukturave të specializuara të përbëra nga prokurorë dhe hetues, që do të monitorojnë proceset zgjedhore në nivel qendror dhe lokal.
Një tjetër masë e rëndësishme është përfshirja e hetuesve të SPAK në Qendrën e Monitorimit të Procesit Zgjedhor pranë KQZ, e cila do të mbledhë informacion nga terreni në kohë reale për të identifikuar shkeljet e mundshme.
Për këtë qëllim, SPAK ka kërkuar akses në Ndërfaqen e Raportimit të Aktiviteteve Publike (NIR) të KQZ, e cila ndihmon në evidentimin e abuzimeve gjatë fushatave elektorale.
Një tjetër element i marrëveshjes është krijimi i një platforme të unifikuar për denoncimet nga qytetarët, shoqëria civile dhe aktorë të tjerë, me qëllim rritjen e transparencës dhe ndjekjen më të shpejtë të rasteve të dyshuara.
Celibashi dhe Dumani u angazhuan për finalizimin e Protokollit të Koordinimit, duke synuar një proces zgjedhor më të drejtë dhe të monitoruar nga afër.