Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën për gjykimin e shkurtuar për të pandehurit Ismail Zeneli, Bujar Ajeti, Besmir Murtati, Adrian Cenaj, Albert Prenga dhe Dedan Gjoni, të përfshirë në këtë proces.
Çështja u nda për ish-zëvendësdrejtorin e policisë së Tiranës, Erzen Breçanin, dhe ish-efektiven e policisë, Jonida Babameto, të cilët do të gjykohen sipas procedurës së zakonshme.
Gjykata shpalli moskompetencën dhe e dërgoi dosjen në ngarkim të Erzen Breçanit dhe Jonida Babametos për gjykim në Gjykatën e Tiranës.
Erzen Breçani, ish-funksionar i lartë i Policisë së Shtetit, akuzohet për pastrim parash në bashkëpunim dhe përkrahje të krimit.
Ai dyshohet se ka ndihmuar Nuredin Dumanin, i akuzuar si vrasës me pagesë. Ndërkohë, ish-oficeri Dedan Gjoni akuzohet si anëtar i organizatës kriminale.
Ky i fundit, gjatë seancës gjyqësore, deklaroi se nuk mund të pranojë të gjykohet mbi provat e paraqitura nga SPAK dhe kërkoi që të gjykohet sipas procedurës së zakonshme në Gjykatën e Tiranës.
E njoh shumë mirë hetimin dhe në dijeninë time, ky që është pas meje, Bujar Ajeti që e njoh që kur ishim fëmijë, më pas edhe tek RENEA, në dijeninë time nuk ka qenë ky person në kërkim nga shteti shqiptar. Unë kam arsyet e mia pse unë nuk e pranoj gjykimin e shkurtuar. Bujar Ajeti ka qenë i shoqëruar disa herë, ka kaluar kufirin me pasaportë. Unë kam ndjekur kriminelët gjithë jetën time, nuk kam përse të përkrah këtë kategori tani. Nuk mund ta pranoj që unë të gjykohem me këto prova që janë paraqitur. Për akuzën e “pastrimit të parave”, as më ka shkuar në mend dhe as kam pastruar para. SPAK thotë vetë që nuk kemi mundësi financiare dhe është e vërtetë, paratë për hidrocentralin ia kemi marrë vëllait që ka 25 vite, me disa biznese”.
Prokurori Vladimir Mara deklaroi se Erzen Breçani ka përdorur një PIN në aplikacionin Sky ECC, të cilin e ka përdorur më parë edhe bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani.
Gjykata, nga ana e saj, ka ndarë nga ky proces personat e tjerë që janë ende në kërkim, përfshirë djalin e Erzen Breçanit, Eralbi, Ervin Matën, Artan Sulejmanin dhe Bajram Grabovën, të cilët janë shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej nëntorit të vitit 2023.
Disa nga të pandehurit kërkuan ndarjen e çështjes, por kjo kërkesë u refuzua nga GJKKO.