Valë mashtrimesh dhe arrestimesh janë raportuar në këto ditët e fundit ndaj personave që punojnë në call center, kryesisht në bursa. Ditën e sotme ka rënë në pranga administratori i një call-center-i në Tiranë, si dhe janë proceduar 13 punonjësit e tij, pasi mashtronin shtetas të huaj, përmes telefonit, për të investuar në bursa fiktive,
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Location”. Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. L., 39 vjeç.
Shtetasi R. L., administronte një subjekt të palicencuar, me aktivitet të padeklaruar në organet kompetente, në rrugën “Themistokli Gërmenji”, të cilin e kishin përshtatur si call center. Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, janë kapur në flagrancë 13 operatorë gjatë kohës që mashtronin shtetas të huaj, për të investuar në bursë fiktive.
Kujtojmë se dy ditë më parë një rast i tillë procedimesh ka ndodhur edhe në një Call Center në Elbasan, pasi agjentët mashtronin qytetarët italianë duke i bindur të investonin para në bursa fiktive.