Në seancën maratonë të mbajtur dje në Kuvend, ndërsa u miratuan një sërë ndryshimesh ligjore, dy çështje të rëndësishme nuk morën votat e nevojshme për miratim.
Bëhet fjalë për dërgimin e mandatit të deputetit socialist Vullnet Sinaj në Gjykatën Kushtetuese dhe ngritjen e një komisioni hetimor për procedurat e miratimit dhe menaxhimit të projektit zhvillimor të Portit të Durrësit.
Projektvendimi për ngritjen e komisionit hetimor mbi projektin “Marina & Jahtet e Durrësit”, shitjen e koncesionit të menaxhimit të portit dhe ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, u rrëzua me 73 vota kundër, 1 votë pro dhe 1 abstenim.
Po ashtu, mocioni për shqyrtimin në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj nuk u miratua, pasi u votua kundër nga 61 deputetë, ndërsa 12 të tjerë abstenuan dhe nuk pati asnjë votë pro.