“Kurajë!” – thirrja e fundit e Erion Braçes në Facebook pas zbulimit të 600 tonëve naftë kontrabandë në Porto Romano. Por kurajo, si gjithmonë, mbaron pikërisht aty ku fillon përgjegjësia reale. Prokuroria është vetëm dy hapa larg zyrave të deputetit, por rruga drejt saj duket më e largët se çdo destinacion në botë.
Në një epokë ku aktivizmi politik matet me “like” dhe “share”, Braçe është mjeshtër i padiskutueshëm i protestës virtuale. Si një Don Kishot modern, ai sulmon çdo ditë mullinjtë e erës në Facebook, ndërsa oligarkët e vërtetë numërojnë fitimet e tyre në Porto Romano.
Ndërsa Kastrati sundon si padron i pakontestueshëm i portit, doganierët bëjnë sehir dhe Antikontrabanda numëron yjet, “zëri i ndërgjegjes” së PS-së zgjedh të luftojë me videot e tij të famshme në Facebook. Asnjë telefonatë në prokurori. Asnjë kërkesë për hetim parlamentar. Asnjë veprim konkret që një deputet me 30 vjet përvojë mund dhe duhet ta ndërmarrë.
Arti i Braçes: një kritikë e kalibruar me kujdes që kurrë nuk prek shtyllat e vërteta të pushtetit që e ushqen. Ai ka perfeksionuar formulën e “opozitarit brenda maxhorancës” – mjaftueshëm kritik sa të duket i guximshëm, mjaftueshëm i kujdesshëm sa të mos rrezikojë kurrë privilegjet e tij.
Ironik fakti që shqiptarët duhet të mësojnë nga mediat e huaja fatin e vendit të tyre: Kampet e refugjatëve në Lezhë, Trafiku i mbetjeve të rrezikshme, Shitja e ishullit të Sazanit…
“Ndërgjegjja kritike” e PS-së është tepër e zënë duke shkruar statuse në Facebook për të vënë re këto skandale kombëtare.
21 janari mbetet plaga e hapur që ekspozon më mirë këtë hipokrizi. Çdo vit Braçe kujton viktimat me statuse prekëse në Facebook. Por pas 12 vitesh në pushtet, drejtësia mbetet po aq e largët sa ditën e parë. Ndoshta sepse drejtësia kërkon më shumë se postime në rrjete sociale.
Tani që vetë është bërë viktimë e arbitraritetit që ka mbështetur për vite me radhë, Braçe po shijon ironinë e hidhur të fatit. I përzënë nga Fieri nga Belinda Balluku, ai kërkon strehë në Tiranë – po ai që deklaronte me krenari “nuk jam nga ata që ndërrojnë zona”.
Pyetja e qytetarit të revoltuar jehon si akuzë ndaj gjithë karrierës së tij: “Çfarë je more zotëri? Deputet apo tellall i klubit të lagjes?”
Realiteti është brutal: Vendi zbrazet çdo ditë nga të rinjtë, Nafta kushton 40% më shtrenjtë se kudo në rajon, Pronat grabiten sistematikisht për t’iu dhënë oligarkëve. Por “kritiku ynë i guximshëm” preferon të luftojë betejat e tij të vogla vetëm në rrjet
Pasioni i tij 30-vjeçar për PS-në është i pamohueshëm – por është pasioni i një servilisti të përkushtuar që ka mësuar të mbijetojë duke kritikuar vetëm aty ku i lejohet. Për çështjet madhore kombëtare, heshtja e tij është më elokuente se çdo status në Facebook.
Kemi një sistem ku “luftëtarët” e korrupsionit preferojnë të numërojnë “like”-t në Facebook sesa të përballen me oligarkët në realitet. Ku çdo skandal transformohet në material për postime të reja, ndërsa veprimet konkrete mbeten përjetësisht në pritje të “kurajos” që kurrë nuk vjen.
Erion Braçe është produkti perfekt i një sistemi që ka nevojë për kritikë pa pasoja – një Don Kishot modern që lufton mullinjtë e erës në Facebook, ndërsa gjigantët e vërtetë të korrupsionit vazhdojnë të sundojnë pa u shqetësuar në botën reale.
/gazetareforma.com