Në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, u zhvillua seanca gjyqësore ndaj Sokol Idrizajt dhe familjes së tij këtë të mërkurë.
SPAK kërkoi dënimin e ish-shoferit të drejtorit të Policisë Ardi Veliu, Sokol Idrizaj, së bashku me gruan dhe dy vajzat e tij, duke i akuzuar për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal.
Gjatë seancës, Sokol Idrizaj hodhi poshtë akuzat dhe theksoi se mediat kishin shpifur dhe baltosur emrin e tij dhe të familjes, duke shtuar se as në kohën e komunizmit nuk ishte futur në burg.
Ai sqaroi se rrobat që vajza e tij kishte sjellë nga Franca ishin të ligjshme dhe të vërtetuara nga shteti francez, dhe i konsideroi akuzat për fshehje të të ardhurash si të pabaza, duke theksuar se jetonte në një shtëpi modeste me çati llamarine.
Avokati i Idrizajt, Ardian Visha, e quajti ngritjen e akuzave një veprim të paprecedentë dhe akuzoi Prokurorinë për veprim të tepërt në këtë çështje. Ai vuri në dukje gjithashtu karrierën 35-vjeçare të Sokol Idrizajt në polici dhe faktin që ai kishte një certifikatë sigurie. Visha sugjeroi se kjo çështje ishte fryrë nga mediat për shkak të rolit të Idrizajt si shofer i Ardi Veliut.
Pjesëtarët e familjes Idrizaj shprehën dëshpërimin dhe pasigurinë për situatën. Gruaja e Sokolit, Elda Idrizaj, theksoi se ata ishin një familje e rregullt dhe se vajza e saj kishte sjellë rroba për t’i shitur online për të siguruar disa të ardhura shtesë.
Ajo shprehu zhgënjimin për shkatërrimin e jetës së familjes nga kjo akuzë. Vajza e Sokolit, Egi Idrizaj, e akuzuar gjithashtu, shpjegoi se nuk kishte pasur ide për përfshirjen në këtë çështje dhe se prokuroria kërkonte 10 vjet burg për të, ndërkohë që ajo ishte nënë e një djali njëvjeçar.
Vajza tjetër e Sokolit, Bora Idrizaj, tregoi pasigurinë dhe traumën që ka përjetuar, duke deklaruar se ishte larguar nga puna dhe po përjetonte një trauma të madhe në jetën e saj, pasi ishte vetëm 22 vjeç.
Grupi, ku bënin pjesë Sokol Idrizaj, familja e tij dhe disa persona të tjerë, akuzohet për transportimin e bizhuterive të vjedhura dhe mallrave kontrabandë nga Franca në Shqipëri, me një vlerë prej rreth 2.8 milionë euro. Më pas, sendet e vjedhura dhe të kontrabanduara shiteshin në Shqipëri përmes faqeve online.