Kryeministri Edi Rama duket se ka ndryshuar qëndrim ndaj platformës TikTok, duke hequr dorë nga plani për ta mbyllur atë.
Sipas Agjencisë Franceze të Lajmeve, Rama ka pasur një takim konstruktiv me një zyrtare të TikTok, dhe ky takimi mund të ketë ndikuar në vendimin e tij.
AFP gjithashtu thekson se kthesa e Ramës vjen pas vendimit të presidentit të ri amerikan, Donald Trump, i cili ka lejuar kompaninë të vijojë aktivitetin në SHBA.
Artikulli i AFP:
Kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili në dhjetor njoftoi një ndalim një vjeçar të TikTok, tha këtë javë se kishte zhvilluar bisedime “të hapura dhe konstruktive” me platformën e mediave sociale. Rama kishte thënë për platformën në pronësi kineze se Tirana do ta “përzinte këtë bandit nga lagjja jonë” kur shpalli ndalimin, që do të zgjasë gjithë vitin 2025. Ai gjithashtu njoftoi se qeveria do të nisë programe për t’i “shërbyer arsimit të studentëve.
Por pas diskutimeve me Christine Grahn, një nga zyrtarët më të lartë të TikTok në Evropë, ai sugjeroi që një ndryshim i politikës ishte i mundur. “Ne diskutuam për shqetësimet që na shtynë të pezullojmë përkohësisht aksesin në platformë në Shqipëri”, tha Rama në llogarinë e tij në Facebook të martën.
Ishte “një diskutim plotësisht i hapur dhe konstruktiv, gjatë të cilit vendosëm disa momente historike bashkëpunimi për javët dhe muajt e ardhshëm… përndryshe do të jemi të detyruar të ruajmë mbylljen e aksesit në platformë, “shtoi Rama, i cili u takua me Grahn në Davos. Burimet e TikTok treguan të mërkurën për AFP se “ishte një takim konstruktiv me marrëveshje për të punuar me qeverinë për të adresuar çdo shqetësim”.
Bllokimi i rrjetit të diskutueshëm social erdhi më pak se një muaj pasi një nxënës 14-vjeçar u vra dhe një tjetër u plagos në një përleshje pranë një shkolle në Tiranë. Përleshja ishte zhvilluar nga një konfrontim online në rrjetet sociale. Vrasja ndezi një debat në vend mes prindërve, psikologëve dhe institucioneve arsimore për ndikimin e rrjeteve sociale tek të rinjtë.
“Në Kinë, TikTok promovon sesi studentët mund të ndjekin kurse, si të mbrojnë natyrën, si të ruajnë traditat”, tha Rama në dhjetor. “Por në TikTok jashtë Kinës ne shohim vetëm llum dhe baltë. Pse na duhet kjo?” Pasi TikTok kërkoi një shpjegim për ndalimin, Rama u përgjigj se platforma “nuk kishte arsye për të kërkuar sqarime nga Shqipëria”. Kthesa e dukshme e Ramës erdhi dy ditë pasi Presidenti i SHBA Donald Trump nënshkroi një dekret pezullimi.