Portofoli i qirasë financiare të sektorit bankar ka shënuar një rritje të shpejtë gjatë vitit 2024.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, vlera e kontratave të qirasë financiare në fund të tremujorit të tretë 2024 arriti në 9.7 miliardë lekë, në rritje me 33% që nga fillimi i vitit kalendarik dhe 49% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Qiraja financiare (lizingu) është një produkt i fokusuar kryesisht në financimin e mjeteve të transportit të bizneseve dhe individëve dhe në një pjesë më të vogël në financimin e pajisjeve dhe linjave të prodhimit të bizneseve.
Qiraja financiare është një produkt i ngjashëm me kredinë, por ndryshimi kryesor është se produkti i financuar nëpërmjet saj mbetet në pronësi të institucionit financiar deri në momentin kur klienti shlyen detyrimin e plotë. Produkti i lizingut parashikon një parapagim të pjesshëm nga klienti të vlerës së mjetit apo pajisjes së financuar.
Parapagimi minimal ndryshon në varësi të kushteve që ofron secili institucion financiar, por mund të fillojë nga 10%, deri në 30% të vlerës. Pjesa e mbetur paguhet me këste mujore deri në shlyerjen e plotë të vlerës.
Tregu i lizingut, ashtu si ai i produkteve të tjera financiare, ka ndjekur rimëkëmbjen e shpejtë të ekonomisë në periudhën pas pandemisë. Një nga aktivitetet ku lizingu ka peshë të rëndësishme është financimi i blerjes së automjeteve për dhënien e tyre me qira, kryesisht për përdorim nga turistët.
Turizmi dhe aktivitetet e lidhura me të po shënojnë një rritje të shpejtë dhe kjo rritje po i jep efektet e veta anësore edhe në sektorët financiarë të lidhur me të. Turizmi gjithashtu ka rritur kërkesën për taksi dhe flotat e reja janë të orientuara drejt automjeteve elektrike. Blerja e tyre përbënin gjithashtu një kontigjent të rëndësishëm të kërkesës për financime me lizing.
Efekti i tërthortë i turizmit shtrihet edhe në sektorët e distribucionit dhe tregtisë, që kanë zgjeruar flotat e tyre të automjeteve. Një segment tjetër në rritje është edhe ai i shërbimeve mjekësore, ku blerja ose rinovimi i pajisjeve po financohet në një masë të madhe me qira financiare.
Sipas Bankës së Shqipërisë, përveç disa bankave tregtare, në tregun e qirasë financiare ushtrojnë aktivitet 10 institucione financiare jobanka të licencuara për këtë produkt. Deri në fund të vitit 2023, portofoli i lizingut të dhënë nga institucionet financiare jobanka kishte vlerën e 11.2 miliardë lekëve. Së bashku me portofolin e bankave tregtare, i gjithë tregu i lizingut në fund të 2023 llogaritej në afërsisht 18.5 miliardë lekë./ Monitor