Edison Oruqi, babai i tre fëmijëve dhe banues në lagjen “Kiras” në Shkodër, është gjetur i pajetë pas pesë ditësh kërkimesh në ujërat e lumit të Shalës, në Koman.
Trupi i tij u gjet paraditen e sotme nga familjarët pas kontrolleve të shumta. Ata kërkuan ndihmën e policisë dhe polumbareve për nxjerrjen e kufomës nga uji, pasi e kishin të pamundur për shkak të rrjedhës së fortë të lumit.
Edison Oruqi kishte humbur kontaktet me familjen të shtunën paradite, kur ishte duke punuar në një bujtinë.
Dyshohet se, pas përfundimit të punës, ai është lënë në një gadishull të vogël me rërë nga personi që e kishte marrë në punë, pasi varka nuk arrinte dot atje për shkak të terrenit.