Një kryeministër që vë kushte për të përmbushur detyrimin kushtetues. Një SPAK që nxiton të nxjerrë vendime pa mbaruar hetimet. Dhe 130 milionë euro që fluturojnë nga xhepat e shqiptarëve drejt llogarive të Becchettit.
“Nuk vij në interpelancë pa më thënë SPAK çfarë do bëjë me vëllain tim”, deklaroi Rama kur iu kërkua të jepte llogari për vendimin e arbitrazhit që po i kushton shqiptarëve 130 milionë euro. Një shantazh i pastër ndaj drejtësisë dhe një tallje me Kushtetutën që e detyron të japë llogari para parlamentit.
SPAK ra pre e presionit. Pasi Rama kërcënoi se “do largohet nga politika nëse vëllai del i përfshirë”, Prokuroria e Posaçme nxitoi të nxjerrë vendimin më absurd në historinë e drejtësisë – shpalljen e Olsi Ramës të pafajshëm ndërkohë që pranon se hetimet nuk kanë përfunduar.
Por edhe pasi SPAK-u iu bind urdhrit dhe e “pastroi” vëllain, Rama vazhdon të tallet me detyrimin e tij kushtetues. Në vend që të paraqitet urgjentisht në interpelancë për të shpjeguar humbjen e 130 milionë eurove, kryeministri vazhdon të flasë për “pafajësinë” e vëllait.
Ndërkohë, gjykata belge ka urdhëruar tashmë bllokimin e fondeve të Albcontrol për t’ia kaluar Becchettit. Një vendim që vjen si rezultat i drejtpërdrejtë i veprimeve të pamatura të qeverisë Rama. Mesazhet kërcënuese të ish-ministrit Veliaj dhe sekretarit Agaçi ndaj biznesmenit italian u kthyen në prova në arbitrazhin ndërkombëtar.
Por kryeministri nuk do t’ia dijë për këtë. Pasi manipuloi SPAK-un për të mbrojtur vëllain, tani përdor të njëjtën çështje për t’i shpëtuar përgjegjësisë për milionat e humbura. Një kryeministër që kushtetutshmërisht është i detyruar t’u përgjigjet interpelancave të deputetëve brenda tri javësh, por që sillet sikur ligji vlen vetëm kur i përshtatet interesit personal.
Parlamenti, SPAK-u, drejtësia – të gjitha sillen si instrumente në duart e një njeriu që mendon se është mbi ligjin. Kur vëllai akuzohet, SPAK harron provat. Kur kërkohet llogari për paratë e shqiptarëve, parlamenti ngre kartonët për të mbrojtur arratisjen e kryeministrit nga përgjegjësia.
Në një kohë kur qytetarët mezi përballojnë rritjen e çmimeve, kur pensionistët numërojnë qindarkët për ilaçe, Rama gjen justifikime për të mos shpjeguar se si humbi 130 milionë euro – sa për të ndërtuar 5 spitale të reja ose për të dyfishuar pensionet e 50,000 të moshuarve për një vit të tërë.
Vendimi qesharak i SPAK-ut për Olsi Ramën ishte vetëm pjesa e parë e planit. Tani kryeministri duhet të bëjë atë që ka shmangur prej muajsh – të dalë në Kuvend dhe t’u tregojë shqiptarëve se si lejoi që vendime të pamatura të qeverisë së tij t’u kushtojnë 130 milionë euro.
Ndërsa Rama kremton “fitoren” e SPAK-ut, shqiptarët presin ende përgjigje për një pyetje të thjeshtë: Ku shkuan 130 milionë euro nga taksat tona? Historia ka treguar se heshtja e pushtetit kushton gjithmonë më shtrenjtë se transparenca.
/gazetareforma.com