Elon Musk ka shkaktuar një valë zemërimi dhe polemikash pas një gjesti që bëri gjatë fjalimit në festën e inaugurimit të Donald Trump në Capital One Arena në Uashington DC.
Musk, njeriu më i pasur në botë dhe aleat i ngushtë i Trump, falënderoi turmën për mbështetje, duke thënë:
“Zemra ime është për ju. Është falë jush që e ardhmja e qytetërimit është e garantuar.” Ai vendosi dorën e djathtë mbi zemër dhe ngriti krahun përpara, një veprim që ngjalli krahasime me përshëndetjen naziste “Sieg Heil”.
Ky gjest shkaktoi reagime të forta në rrjetet sociale, me historianë dhe ekspertë që e cilësuan si të qëllimshëm dhe si element të regjimeve fashiste. Claire Aubin, historiane që studion nazizmin, tha se ishte një përshëndetje që e kujtonte atë të fashistëve.
Po ashtu, Andrea Stroppa, mik i Musk, e quajti gjestin një “përshëndetje romake”, të përdorur nga Partia Fashiste e Benito Musolinit dhe nga Adolf Hitleri, por më vonë e fshiu postimin dhe e justifikoi si një shprehje të ndjenjave të Musk, duke përmendur se ai vuan nga autizmi.
Pas kritikave, Musk ka reaguar në platformën e tij X, duke i quajtur akuzat si “mashtrime” dhe duke thënë se ata që krahasuan gjestin me një përshëndetje naziste po përdornin “taktikën e vjetër” për ta sulmuar.
Gjatë kësaj periudhe, Musk ka shprehur mbështetje për partitë e ekstremit të djathtë si AfD në Gjermani dhe Partinë Reforma në Britani.
Megjithatë, disa media dhe individë kanë mbrojtur Musk, duke e cilësuar gjestin si një moment të sikletshëm dhe jo një akt të ekstremizmit.