Skip to content
Kryesore

14 vite nga ngjarja tragjike e “21 Janarit”

· 2 min lexim

Kanë kaluar plot 14 vjet nga ngjarja tragjike e “21 Janarit”, një nga datat më të dhimbshme, ku katër persona humbën jetën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Më 21 janar 2011, Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj mbetën viktima të protestës së opozitës, tre të vrarë me armë zjarri në harkun e dhjetë minutave dhe një i plagosur rëndë që do të ndërronte jetë pak ditë më vonë.

Opozita e atëhershme, e cila sot është në qeveri, kishte organizuar një protestë para Kryeministrisë, një protestë që degjeneroi në dhunë dhe përplasje.

Ishte ora 14:00, kur protestuesit nisën marshimin nga sheshi “Skënderbej” deri para Kryeministrisë, ndërsa policia kishte ndërmarrë masa për të mos lejuar kalimin e mjeteve.

Turma filloi me thirrje kundër kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha, por vetëm pak minuta më vonë, filloi hedhja e gurëve dhe sendeve të forta në drejtim të forcave të rendit.

Situata u tensionua kur protestuesit tentuan të hynë në oborrin e Kryeministrisë, ndërsa policia mbrojti godinën. Pasi, filluan të dëgjoheshin të shtëna armësh nga brenda Kryeministrisë, këto të shtëna shkaktuan katër viktimat: Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikajn.

PS dhe familjarët e viktimave thonë se ende nuk është vendosur drejtësi për viktimat.

Ngjarja e 21 Janarit mbetet një nga datat më tragjike të demokracisë shqiptare dhe tranzicionit të gjatë dhe të lodhshëm.