Janë zbardhur dëshmitë e dy vëllezërve Klisman dhe Arjon Hasaj, të arrestuar për vrasjen e Ramazan Mataj në Shkodër, ngjarje që ndodhi më 5 janar 2025 në fshatin Dragoç.
Dëshmitë e plota të dy vëllezërve janë siguruar tashmë, ku Klisman ka dhënë një deklaratë të detajuar, duke treguar se armën që përdorën për vrasjen e kishte siguruar ai, pasi e mbante të fshehur prej vitesh në tavanin e një shtëpie të vjetër.
Vëllai tjetër, Arjon Hasaj, ka pohuar se pas vrasjes së Ramazan Matajt, ai ka thyer telefonin me të cilin viktimën e kishte futur në kurth përmes profilit fals “Majli 544”, dhe e ka hedhur në lumin “Kir”. Nga dëshmitë e siguruara, Klisman Hasaj ka deklaruar gjithashtu se viktima kishte pasur një marrëdhënie të gjatë me motrën e tyre të vogël dhe nuk pranoi të hiqte dorë nga ajo, edhe pse i ishte kërkuar.
Klismani ka sqaruar se, megjithëse ata përpiqeshin të bisedonin me Ramazan Matajin, ky i fundit largohej dhe nuk pranonte të fliste për çështjen. Për shkak të kësaj situate, së bashku me vëllain Arjon, ata kanë menduar ta vrisnin, duke shprehur se i kishin turpëruar para të gjithë fisit, fshatit dhe personave që i njihnin.
Sipas Klismanit, Arjoni ka qenë personi që ka hapur një faqe në internet me qëllim kapjen e Ramazan Matajit. Ndërkohë, Klismani ka pohuar se armën e kishte gjetur disa vite më parë dhe e kishte mbajtur të fshehur në tavanin e shtëpisë. Natën e ngjarjes, ai ka thënë se ia ka dhënë armën Arjonit, i cili ia ka sjellë rreth orës 21:00 dhe i ka thënë se e kishte vrarë Ramazanin.
Mbrëmjen e datës 6 janar, Klismani ka pohuar se e ka groposur armën në qoshen e shtëpisë, pas ngjarjes. Edhe vëllai tjetër, Arjon Hasaj, ka dhënë deklarata për vrasjen. Fillimisht ai është pyetur si person që ka dijeni për veprën penale dhe më pas, në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime. Arjoni ka theksuar se i qëndron deklaratave të tij të mëparshme.
Në përfundim të deklaratës së tij, Arjon Hasaj ka shprehur pendesë për krimin, duke theksuar gjithashtu se ka qenë në një gjendje të rënduar psikologjike dhe emocionale. Ai u zbulua fillimisht nga numri i telefonit me të cilin kishte hapur profilin fals “Majli 544”, përmes të cilit u shfaq si femër dhe futi Ramazan Matajin në kurth, duke e vrarë më pas në periferi të fshatit.