Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, do të paraqitet sot në SPAK në zbatim të masës “detyrim paraqitje”.
Paralelisht, PD ka lajmëruar zhvillimin e një proteste para selisë së SPAK, e cila do të nisë në orën 09:30.
“Të dashur miq. Ditën e hënë është data e radhës e përcaktuar për tu paraqitur kryetari i PD-së Prof.Dr. Sali Berisha në SKAP. Ndaj në ora 9:30 përsëri të gjithë në protestë përpara SKAP-it si vegël në duart e Ramës për të përndjekur kundërshtarët politik. Faleminderit”, thuhet në mesazhin e shpërndarë me strukturat e PD.
Sali Berisha ka cilësuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” nga Apeli i Posaçëm për çështjen “Partizani” si një “krim kushtetues”.
Ai e ka kundërshtuar këtë vendim, duke thënë se SPAK ka kërkuar vendosjen e kësaj mase pasi ai ka sulmuar Prokurorinë dhe gjykatën.
Berisha u lirua më 27 nëntor 2024, pas një viti në arrest shtëpiak për akuzat e korrupsionit pasiv, në lidhje me dosjen “Partizani”.
Ai është i pandehur së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili mbetet në arrest shtëpie.