Katër shtetas janë vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pasi kundërshtuan dhe goditën punonjësit e Policisë për shkak të detyrës, si dhe dëmtuan mjetin e policisë gjatë shoqërimit.
Ngjarja ndodhi në rrugën “Mikel Maruli”, ku shërbimet e Komisariatit të Qarkullimit Rrugor konstatuan një automjet që po lëvizte në kundërshtim me rregullat e qarkullimit rrugor, duke kaluar me semafor të kuq.
Drejtuesi i automjetit, shtetasi A. Sh., pasi pa patrullën e policisë, parkoi automjetin dhe tentoi të largohej në këmbë, por u ndalua nga policia për t’u proceduar administrativisht.
Gjatë komunikimit të shkeljes, A. Sh., së bashku me tre persona të tjerë, kundërshtuan dhe goditën punonjësit e Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe të Patrullës së Përgjithshme, për të shmangur shoqërimin në Komisariat.
Gjatë verifikimeve, rezultoi se drejtuesi i automjetit ishte në gjendje të dehur. Gjatë shoqërimit, të arrestuarit dëmtuan mjetin e policisë dhe derën e ambienteve të shoqërimit.
Në përfundim të veprimeve hetimore, u arrestuan në flagrancë:
• A. Sh., 37 vjeç;
• A. Xh., 32 vjeç;
• B. Xh., 30 vjeç, të tre banues në Kukës;
• B. Xh., 25 vjeç, banues në Tiranë.
Të arrestuarit akuzohen për veprat penale:
• “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”
• “Kanosja për shkak të detyrës”,
• “Goditje për shkak të detyrës”,
• “Shkatërrimi i pronës” e kryer në bashkëpunim,
• “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.