Prokuroria Themelore në Prishtinë ka përfunduar hetimet për vrasjen e Liridona Ademajt dhe ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave, me shume se nje vit pas ngjarjes.
I akuzuari kryesor është bashkëshorti i 30-vjeçares, Naim Murseli, që jetonte me Liridonën dhe dy fëmijët e tyre në Suedi. Të tjerë të akuzuar janë Kushtrim Kokalla, Granit Plava dhe Tom Dodaj.
Prokurorja e rastit, Javorka Perlinčević, theksoi se gjatë periudhës kur Liridona dhe Naimi jetonin në Suedi, ata kishin një martesë të trazuara dhe probleme pronësore që mund të kenë kontribuar në ngjarjen tragjike.
Perlinčević tha se identifikimi i motivit kishte kërkuar kohë, dhe do të bëhet i njohur gjatë seancës gjyqësore.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, e cilësoi këtë rast si shumë të ndjeshëm dhe e vlerësoi si një vepër penale të rëndë, të kryer nga një anëtar i familjes dhe në mënyrë dinake. Ai theksoi se hetimet ishin zhvilluar në shumë drejtime dhe shprehu pritshmërinë për një dënim të përshtatshëm nga gjykata.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023 në Prishtinë. Fillimisht, rasti ishte raportuar si një “grabitje me pasoja vrasjeje”, por pas dy ditësh, Policia e Kosovës njoftoi se kishte arrestuar Naim Murselin, bashkëshortin e Liridonës.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka vazhduar disa herë masën e paraburgimit për Naim Murselin, Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, ndërkohë që Gjykata Supreme ka ndërprerë masën e paraburgimit për Tom Dodaj, duke lejuar mbrojtjen e tij në liri. Dodaj ishte arrestuar më 9 dhjetor nën dyshimin se kishte shitur armën e përdorur për vrasjen.