Zjarret masive që kanë përfshirë Qarkun e Los Angeles-it po vazhdojnë të shkaktojnë dëme katastrofike dhe viktima.
Sipas raportimeve të fundit, numri i personave që kanë humbur jetën ka arritur në 10, ndërsa zyrtarët paralajmërojnë se ky numër mund të rritet pasi ekipet hetimore të kenë qasje të sigurt në zonat më të prekura.
Evakuimi masiv ka prekur rreth 150,000 persona, të cilët janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve.
Pavarësisht përpjekjeve të zjarrfikësve, kushtet atmosferike të pafavorshme, si erërat e forta Santa Ana, kanë shtuar vështirësitë për vënien nën kontroll të flakëve.
Dy zjarret më të mëdha, Palisades Fire dhe Eaton Fire, kanë djegur mbi 30,000 hektarë tokë dhe kanë shkatërruar rreth 10,000 ndërtesa, përfshirë shtëpi, kisha, shkolla, dyqane dhe objekte të tjera jetësore.
Disa nga zonat më të prekura janë Pacific Palisades, Malibu dhe San Fernando Valley.
Kryebashkiaku i Los Angeles-it, Karen Bass, shprehu shqetësimin e saj për përhapjen e mëtejshme të zjarreve për shkak të erërave që parashikohet të fuqizohen nga e enjtja në mbrëmje deri të premten në mëngjes.
Ndërkohë, sherifi i qarkut, Robert Luna, e përshkroi situatën si një nga më të rëndat që ka parë ndonjëherë, duke thënë:
“Duket sikur një bombë atomike ka rënë në këto zona.”
Luna paralajmëroi gjithashtu se numri i viktimave mund të rritet në ditët në vijim, duke thënë se “nuk presim lajme të mira” për shkak të shkallës së madhe të shkatërrimit.
Në lagjet më të prekura, si Pacific Palisades dhe Malibu, janë rrafshuar dhjetëra blloqe banimi, përfshirë disa prona të të famshmëve, si rezidenca e Paris Hilton.
Pamjet nga terreni përshkruhen si skena apokaliptike, ku vetëm mbetjet e oxhaqeve dhe konturet e shtëpive qëndrojnë mbi rrënojat e djegura.
Zyrtarët nuk kanë dhënë ende një vlerësim të saktë për dëmin e shkaktuar, por kompania private AccuWeather ka raportuar se humbjet ekonomike për qytetin mund të variojnë nga 135 deri në 150 miliardë dollarë.
Analistët mendojnë se do të duhen muaj, ndoshta vite, për të rikthyer qytetin në gjendjen e mëparshme.