Ekspozita fotografike “Ikonat Mariane në Muzeun Historik Kombëtar” është çelur në Muzeun “Onufri” në Berat, duke sjellë disa prej veprave më të rëndësishme të ikonografisë shqiptare, të cilat i janë dedikuar Shën Mërisë.
Kjo ekspozitë është realizuar nga Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat dhe Muzeu Historik Kombëtar, dhe është e hapur në ambjentet e Muzeut Kombëtar të Ikonografisë “Onufri”.
Përmes 20 veprave të prezantuara, ekspozita shfaq ikona të realizuara nga mjeshtrat e mëdhenj të ikonografisë shqiptare si Onufri, David Selenica, Onufër Qiprioti, Jonan Athanasi, Mihal Anagnosti dhe Diço Zografi. Ikonat përfaqësojnë momente të rëndësishme nga jetën e Shën Mërisë, duke ilustruar madhështinë dhe delikatesën e artit ikonografik.
Një prej ikonave më të spikatura është “Shën Maria me Krishtin”, e cila shfaq përkushtimin dhe frymëzimin hyjnor të artistëve. Po ashtu, një nga kryeveprat e ekspozitës është “Dyert e Bukura” në skenën e “Ungjillizimit të Hyjlindëses”, që simbolizon momentin e shenjtë të artit dhe besimit.
Në këtë ekspozitë janë përfshirë edhe dy ikona të tjera të realizuara nga piktorët beratas, Onufri dhe David Selenica, që përfaqësojnë skenën e hyrjes së Shën Mërisë në tempull, duke ilustruar traditat e pasura ikonografike të rajonit.
Drejtorja e Muzeut Historik Kombëtar, znj. Elsiona Kote, e përshkruan këtë ekspozitë si një pasuri të çmuar për ikonografinë shqiptare, e cila paraqet vetëm figurën e Shën Mërisë dhe është një mundësi e jashtëzakonshme për të zbuluar trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore shqiptare.
Drejtori i Muzeut “Onufri”, Miklor Pasku, theksoi se kjo ekspozitë është një hap i rëndësishëm për promovimin e thesareve të ikonografisë shqiptare. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 27 dhjetor, duke ofruar një mundësi të shkëlqyer për publikun dhe vizitorët të njoftohen me këtë trashëgimi të pasur kulturore.