Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot seancën e fundit plenare të këtij sesioni, me një rend dite të ngjeshur.
Diskutimet nisin me një interpelancë të kërkuar nga deputetja Ina Zhupa me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, për zbatimin e ligjit për Zonat e Mbrojtura.
Në fokus të seancës janë një sërë projektligjesh, përfshirë:
• Aktin normativ për ndryshimet në ligjin mbi tatimin e të ardhurave.
• Ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, si Konventa për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të huaja dhe Konventa për veprat penale që lidhen me pasurinë kulturore.
• Projektin për financimin e laboratorëve inteligjentë, që synon digjitalizimin e sistemit arsimor shqiptar.
Gjithashtu, do të diskutohen ndryshime ligjore mbi mbrojtjen e të dhënave personale, funksionimin e Forcës Rezerviste, barnat narkotike, të drejtat e të burgosurve dhe profesionin e audituesve ligjorë.
Në rend të ditës është edhe ngritja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për hartimin e Reformës “Pakti për Fëmijët”. Seanca përmbyll diskutimet për këtë vit parlamentar.