Skip to content
Të Gjitha

PD e akuzoi se në Itali e kanë arrestuar, Prokuroria nis verifikimet për Valdrin Pjetrin

· 2 min lexim

Pak ditë më parë, Partia Demokratike i bëri një kërkesë urgjente Prokurorisë së Përgjithshme për të verifikuar pastërtinë e figurës së Valdrin Pjetrit. Ky i fundit u regjistrua në votime si kandidat i PS për Bashkinë e Shkodrës.

Sipas kërkesës së firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, ekzistojnë të dhëna dhe dëshmi të forta publike së Pjetri nuk mund të ushtrojë funksion publik për shkak të ligjit të dekriminalizimit.

Ditën e sotme njoftohet se Prokuroria e Përgjithshme ka nisur verifikimet për Pjetrin, ku së shpejti pritet edhe që bëhet publik edhe vendimi i saj.

Sipas Bardhit, Vadrin Pjetri ka qenë i arrestuar në Itali në vitin 2001-2002, derisa është marrë edhe masa e dëbimit nga autoritetet italiane.

Nga  verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS, rezulton se Pjetri nga periudha 2002 – 23.03.2010 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Italisë.

“Në vitin 2001-2002, Valdrin Pjetri ka qenë i arrestuar/ndaluar në Itali (ka jetuar në Firence, Itali) dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga autoritetet përgjegjëse italiane.

Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Valdrin Pjetri nga periudha 2002 – 23.03.2010 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Italisë, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë”, thuhet në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD.

Në formularin e dekriminalizimit, kryebashkiaku i sapoemëruar i Shkodrës, nuk rezulton se ka shënuar dënimin e tij nga autoritetet italiane.

Në formular, Pjetri ka pasqyruar vetëm qëndrimin në qytetin e Firences në periudhën 2001-2002 për kryerjen e studimeve universitare.