Vettingu ka nxjerrë përfundimisht jashtë sistemit një tjetër magjistratë, këtë herë prokuroren e Shkodrës, Edlira Cufi, pas vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA), që ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) të dy viteve më parë.
“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Mimoza Tasi kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Albana Shtylla, Ina Rama, Rezarta Schuetz anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 25/2022, datë 03.06.2022, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Edlira Cufi, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 509, datë 17.02.2022”, thuhet në njoftimin zyrtar të KPA-së.
Cufi është shkarkuar për lidhjet e dyshimta dhe problematikat në hetimin e dosjeve. Gjetjet e DSIK-së dhe ONM-së zbuluan se ajo kishte përdorur një makinë të një personi të lidhur me krimin, që merrej me prostitucion, dhe nuk e kishte raportuar këtë fakt.
Gjithashtu, Cufi mbylli dosjen penale lidhur me këtë çështje. KPA vendosi largimin e saj nga sistemi gjyqësor për 15 vitet e ardhshme.