Kryeparlamentarja Elisa Spiropali i është përgjigjur kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, lidhur me kërkesën për interpelancën me kryeministrin Edi Rama për çështjen “Becchettin”.
Spiropali theksoi se interpelanca duhet të bazohet në të vërteta dhe kontroll parlamentar, jo në propagandë, duke shtuar se si kryetare e Kuvendit ka të drejtën të mos përfshijë në rend dite çështje që nuk janë përgjegjësi e qeverisë.
Ajo theksoi se interpelancat duhet të jenë të bazuara në dokumente të shtetit shqiptar dhe në interesin publik.
Nga ana tjetër, Bardhi e akuzoi Spiropalin për shkelje të Kushtetutës dhe për ndjekjen e direktivave të Ramës.
Ai shtoi se vendimi i gjykatës belge tregon se shtetit shqiptar i janë konfiskuar 130 milionë euro të Alb Control, dhe se kjo shumë është planifikuar të shpërndahet sipas procedurave të shtetit belg.
Bardhi kërkoi që interpelanca të zhvillohej, por deputetët e PS-së votuan kundër, duke bllokuar kështu kërkesën për interpelancë me kryeministrin.