Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me drejtuesit e degëve të partisë, theksoi rëndësinë e intensifikimit të grupeve të punës në funksion të përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 11 maj.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se diktaturat mund të rrëzohen në dy mënyra: përmes forcës së armatosur ose përmes mosbindjes civile.
Në këtë kontekst, ai theksoi se Partia Demokratike ka vendosur përfundimisht të ndjekë rrugën e mosbindjes civile.
“Sot, është rasti të ritheksoj se një nga gjërat, ose ndofta tiparet më themelore të kësaj partie, e cila kur u themelua ditët e para kishte përpara një parti terroriste. Vetëm një javë pas themelimit tonë, Ramiz Alia mblodhi konferencën kombëtare të PPSH dhe e shpalli me të madhe që njerëzit të mos kujtojë kush se u dobësua, se marksizmi-leninizmi, pra doktrina terroriste është doktrina udhëheqëse e PPSH.
Atë e kishte në statut, por tani e rikonfirmoi edhe njëherë. Kurse ne, PD, parti e vlerave demokratike, jo e dhunës. Dhe ne, jemi përmbajtur, siç e dini ju. Në ’97, e morën me dhunë, i përzumë me votë dhe tani prap me votë do t’i përzemë. Mosbindje civile dhe votë.
Dhe, këtë takim me ju, e thirra se, tani që kemi krijuar grupet e punës, të cilat keni autoritet dhe autorizim t’i shtoni, të sillni propozimet.
Sektori i Organizimit ka bërë një punë, mund të ketë harruar persona. Ja ku jeni ju. Ata jeni ju që i drejtoni, dhe i udhëhiqni. Nuk keni kufizime, nuk keni pengesa për të kërkuar bashkëpunimin e çdo demokrati.
Por, kur e konsideroni se duhet të jetë në shtab elektoral dhe ka ndikimin, sigurisht që ata do t’i merrni, ia sillni sektorit të Organizimit, dhe sektori i Organizimit plotëson listat.
Vetëm një gjë është. Me dhjetëra e dhjetëra herë, e kemi theksuar dhe qindra herë që ne jemi shpresa e fundit, dhe kjo është e vërteta.
Tani do t’u them një gjë unë ju. Do jem shumë i hapur. Në qoftë se do shihni se do dilte një forcë tjetër politike, që do t’i mirrte shqiptarët me vete, do t’u printe, Sali Berishën nuk do e dëgjonit ndonjëherë të thoshte: jemi shpresa e vetme.
Por, e vërteta është që, jemi shpresa e vetme. Ky është realiteti, dhe kjo na detyron shumë. Na detyron shumë që tek çdo anëtar, tek çdo simpatizant, tek çdo mbështetës t’i ngulitim këtë bindje.
Ne jemi shpresa e vetme, dhe si të tillë ne duhet ta mbjellim këtë shpresë në çdo votër, në çdo zemër, në çdo mendje të shqiptarëve.
U kërkoj strukturave të PD, për të cilat kam admirim të pakufishëm, të çlirohen nga çdo ngurtësi dhe të dalin në krye të udhëheqin qytetarët drejt fitores”, tha Berisha.