Në sallat luksoze të Uashingtonit, Altin Dumani pranon titullin “kampion i antikorrupsionit” mes duartrokitjeve të Blinken dhe buzëqeshjeve të Yuri Kim. Ndërkohë në Tiranë, 130 milionë euro të inceneratorit që nuk ekziston presin në sirtarët e SPAK-ut, mes pluhurit të harresës institucionale.
Ironia bëhet edhe më therëse përballë “aksionit” të 6 dhjetorit. Oficerët e SPAK qëndruan një orë para derës së Veliajt – një “privilegj” që nuk i jepet kurrë të dyshuarve pa mbrojtje politike. Një orë e artë për të sistemuar çdo provë që mund të kompromentonte “të paprekshmin” e Bashkisë.
“Hetimi pasuror” ndaj familjes Veliaj është kthyer në një shfaqje teatrale ku provat për dhjetëra mijëra euro që qarkullojnë në zyra, për kompani që financojnë vëllanë e kryebashkiakut, zhduken në labirintin e “hetimeve në vazhdim”.
Më ironikja, tolerancën e “kolegëve” kryebashkiaku e shpërbleu me akuza se janë të kapur nga Berisha, duke e shpallur këtë të fundit fajtor për aksionin e SPAK.
Zyrat e bashkisë funksionojnë si një treg i hapur korrupsioni: çdo vendim ka një çmim, çdo tender një përqindje, çdo leje një tarifë të paligjshme. Drejtorët e “5D” ishin thjesht fasada e një sistemi që SPAK-u po mbron me heshtjen e tij. Më kulminantja, SPAK mbylli hetimin e inceneratorëve pikërisht aty ku nuk prekeshin figurat kyçe të pushtetit, a.k.a Erion Veliaj.
Por dekorata në Uashington ka një çmim më të lartë se medalja që shkëlqen në zyrën e Dumanit. Është çmimi i besueshmërisë së një institucioni që duhej të ishte shpresa e fundit e drejtësisë shqiptare.
Sekretari Blinken, me lidhjet e tij me Alex Soros dhe rrethin e ngushtë të Ramës, ish-ambasadorja Kim me mbështetjen e saj të përhershme për qeverinë – janë pjesë e një rrjeti ndërkombëtar që mund të paralizojë drejtësinë shqiptare më efektivisht se çdo kërcënim vendor.
Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar ekzistencën e një dosjeje tjetër korrupsioni që po mbahet e mbyllur në sirtarët e SPAK-ut. Ndërkohë, familjet e “5 Majit” ende presin drejtësi, Teatri Kombëtar mbetet një plagë e hapur, dhe inceneratorët fantazmë vazhdojnë të gllabërojnë miliona.
SPAK tani duhet të zgjedhë: të jetë institucioni i pavarur që u betua se do të ishte, apo thjesht një fasadë për ceremonitë ndërkombëtare? Historia nuk do të kujtojë dekoratat që shkëlqejnë në vitrina, por heshtjen përballë korrupsionit që po gërryen çdo qelizë të shtetit shqiptar.
/gazetareforma.com