Seanca paraprake për inceneratorin e Tiranës në Gjykatën e Posaçme është shtyrë pas kërkesës së Prokurorit të çështjes për kohë shtesë për administrimin e aktet procedurale. Seanca e radhës është caktuar për datën 13 dhjetor.
Projekti koncesionar për inceneratorin e Tiranës ka kushtuar më shumë se 100 milionë euro për taksapaguesit shqiptarë, megjithëse puna u ndërpre dhe inceneratori nuk u ndërtua kurrë. Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme vendosi 15 masa sigurie për zyrtarë dhe biznesmenë të përfshirë në këtë aferë, përfshirë ish-ministrin Lefter Koka, ish-deputetin Alqi Bllako dhe drejtorin Taulant Tusha, të cilët janë në arrest.
Në gusht të vitit 2023, SPAK urdhëroi sekuestrimin e kompanisë së inceneratorit të Tiranës, duke zbuluar se pronarët fundorë të projektit ishin biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar për korrupsion dhe pastrim parash. Hetimet e SPAK zbuluan se projekti filloi pas një studimi fizibiliteti të dërguar nga kryebashkiaku Veliaj në vitin 2016, për zgjerimin e landfillit të Sharrës dhe përfshirjen e sektorit privat në menaxhimin e mbetjeve.