Presidenti i Urdhrit Veterinar, Ervin Resuli, në një intervistë për “Koha për t’u zgjuar” në News24, ka folur për sigurinë ushqimore në prag të festave të fundvitit, duke theksuar se megjithëse Shqipëria ka një nivel të mirë sigurie ushqimore, ka ende hapësira për përmirësim.
Resuli nënvizoi se varfëria e konsumatorit shqiptar shpesh e detyron atë të zgjedhë produkte të lira, të cilat mund të mos plotësojnë standardet e duhura të sigurisë.
“Siguria ushqimore në vend ka arritje të mira, por gjithmonë ka vend për përmirësim. Konsumatorët duhet të jenë më të kujdesshëm, duke kontrolluar etiketat dhe origjinën e produkteve ushqimore, ashtu siç bëjnë për markat e rrobave. Për shembull, gjelin e detit mund ta marrim në fshat ose nga prodhues të certifikuar, ku produkti ka një etiketë dhe është i gjurmueshëm,” tha ai.
Resuli theksoi gjithashtu mungesën e mbështetjes për sektorin e blegtorisë në vend, duke përmendur se çmimi i qumështit në Shqipëri është më i larti në rajon dhe në Europë, pikërisht për shkak të subvencioneve të pamjaftueshme.
“As me qumësht, as me mish, Shqipëria nuk arrin të plotësojë nevojat e saj, veçanërisht gjatë sezonit turistik kur kërkesa rritet. Çmimi i qumështit është më i shtrenjtë në Europë sepse blegtorët tanë marrin lëmoshë në vend të subvencioneve. Skemat aktuale nuk ndihmojnë në uljen e kostove dhe në rritjen e prodhimit vendas,” tha Resuli.
Ai i bëri thirrje institucioneve të ndërmarrin reforma të thella për të mbështetur blegtorët vendas dhe për të rritur konkurrencën e produkteve shqiptare në treg.
Ndërkohë, konsumatorët këshillohen të jenë të kujdesshëm dhe të zgjedhin produkte cilësore, sidomos gjatë festave, kur rritet volumi i blerjeve.