Motra e Saimir Sulës thirrje për drejtësi: Protestë para Kryeministrisë për zbardhjen e çështjes
Majlinda Sula, motra e Saimir Sulës, i cili humbi jetën në një spital në Spanjë dhe u kthye në Shqipëri pa zemër, ka njoftuar se do të organizojë një protestë. Protesta do të mbahet nesër në orën 12:00 para Kryeministrisë, për të kërkuar drejtësi dhe transparencë mbi rrethanat e vdekjes së vëllait të saj.
Në thirrjen e saj, Majlinda thekson se qëllimi i protestës është të nxisë institucionet ligjzbatuese shqiptare që të zbardhin plotësisht çështjen. Ajo është ende në pritje të rezultateve të ADN-së dhe autopsisë për të kuptuar shkaqet dhe përgjegjësit e vdekjes së Sajmirit.
“Unë do të protestoj për të zbuluar të vërtetën dhe për të kërkuar drejtësi për vëllain tim,” deklaroi Majlinda, duke bërë thirrje për mbështetje nga qytetarët e shqetësuar për raste të tilla.
NJOFTIM PËR PROTESTË
Drejtuar: Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë
I nderuar Z.Drejtor!
Unë shtetasja Majlindja Sula do zhvilloj një protestë nesër në datën 11 Dhjetor, 2024 në orën 12:00 PËRPARA KRYEMINISTRISË, Bulevardi Dëshmorët e Kombit me qëllim për të nxitur institucionet ligjzbatuese në Shqipëri për çështjen e vëllait tim, shtetasit Saimir Sula, i cili ka ndërruar jetë në datën 09.05.2020 në një spital në Spanjë.
Unë shtetasja MAJLINDA SULA, PROTESTOJ sepse kam 4 vite e gjysëm që kërkoj nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Shqipëri një AUTOPËSI TË PËRFUNDUAR dhe një ADN që dërgohet një mostër në Laboratorin e Brukselit ose të Vjenës për të bërë provën e ADN-së. Kam dorëzuar kërkesën për AUTOPËSI TË PLOTË, kaluan 4 vite e gjysëm dhe nuk kam një konkluzion të plotë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Mediat dhe institucionet Shqiptare nxorrën lajme fallco duke thënë se “rasti i Saimirit u zgjidh dhe çdo gjë përfundoi me sukses”, asnjë gjë nuk ka përfunduar, akoma pres ADN-në dhe autopësinë për të kuptuar kush e vrau Saimirin.
I kërkoj Kryeministrit Z. Edi Rama ti japë zgjidhje urgjente kësaj çështje.
KAM 4 VITE E GJYSËM QË KËRKOJ ZEMRËN E TIM VËLLAI.
Në 8 Maj 2020 Saimiri shkoi në spital për një test Covidi, pasi ishte me temperaturë. Testi rezultoi negativ. Majlinda, motra e tij, priste që Saimiri të dilte nga spitali, por pas një telefonate me të, nuk e pa më të gjallë vëllain. Spitali konfirmoi vdekjen e 31-vjeçarit rreth mesditës së 9 Majit 2020. Fillimisht nga spitali u tha, që Saimir Sula është axhituar dhe gjatë momentit të neutralizimit nga rojet e spitalit, i ka pushuar zemra. Por e motra thotë se Saimiri kishte shenja dhune në trup. Instituti i Mjekësisë Ligjore në Barcelonë nuk ka një konkluzion të saktë për shkaqet e vdekjes. Në telefonatën e fundit, e motra thotë se Saimiri i ka thënë: Majlinda po më vrasin!