Shtetasi shqiptar Robert Gjika, 32 vjeç, i lindur në Berat, është ekstraduar nga Greqia në Shqipëri.
Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Gjika akuzohet si pjesëtar i grupit kriminal të përfshirë në megaoperacionin “NOMADA”, i cili dyshohet për transportimin ilegal të emigrantëve, kryesisht drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Pas ekstradimit, ai iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për ndjekjen e mëtejshme të procedurave ligjore.
Ky ekstradim është rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe homologëve grekë për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.