Protesta e opozitës në Tiranë ka shpërthyer me përplasje të ashpra mes qytetarëve dhe forcave të policisë.
Pas nisjes së protestës, policia ka ndërhyrë duke shtyrë dhunshëm protestuesit, ndërkohë që Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, iu ka bërë thirrje efektivëve të sigurojnë që tubimi të zhvillohet në mënyrë paqësore.
“Ju bëni detyrën tuaj, ne tonën. Detyra juaj është të siguroheni që protesta të jetë e qetë,” tha Bardhi, duke kërkuar që të respektohet e drejta e qytetarëve për të protestuar.
Përplasje të ashpra janë regjistruar në disa zona të kryeqytetit, përfshirë Sheshin Wilson, ku qytetarët dhe deputetët e PD-së janë konfliktuar fizikisht me policinë.
Bardhi akuzoi forcat e rendit se gjysma e tyre nuk kishin numra identifikimi dhe emra në uniformat e tyre, duke sugjeruar se disa prej tyre ishin dërguar nga grupe kriminale për të penguar zhvillimin e protestës.