Protesta e opozitës në Rrugën e Elbasanit në Tiranë ka nisur me përplasje të ashpra mes protestuesve dhe forcave të policisë. Përplasjet shpërthyen pas një urdhri të zëvendësdrejtorit të Policisë së Tiranës, Sokol Bizhga, i cili kërkoi nga efektivët që të shpërndanin turmën dhe të ndalonin bllokimin e rrugëve.
Gjatë përplasjeve fizike, një qytetar ka humbur ndjenjat dhe është marrë me urgjencë nga ambulanca për t’u dërguar në spital. Ndërkohë, përplasjet kanë përfshirë edhe dy deputetët e Partisë Demokratike, Flamur Noka dhe Xhelal Mziu, të cilët janë konfrontuar fizikisht me policinë pas urdhrit për të ndaluar bllokimin e aksit kryesor.
Një tjetër incident ka ndodhur pranë Xhamisë së Namazgjasë, ku një person ka humbur ndjenjat dhe ka kërkuar ndihmën e shërbimit të urgjencës. Ambulanca ka mbërritur në vendngjarje për t’i dhënë ndihmën e nevojshme dhe për ta transportuar të lënduarin në spital. Ende mbetet e paqartë dinamika e plotë e ngjarjes dhe shkaqet e humbjes së ndjenjave nga qytetari.