Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, Forcën e Posaçme Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Bad Spin 3”.
Ky operacion ka rezultuar në identifikimin e disa subjekteve dhe individëve që ishin të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm të organizimit dhe përshtatjes së ambienteve për zhvillimin e lotarive të paligjshme (baste sportive online), në zona të ndryshme të Tiranës.
Gjatë kontrolleve të kryera, janë arrestuar në flagrancë katër shtetas: E. A., 43 vjeç, E. T., 34 vjeç, K. B., 47 vjeç dhe Xh. Ç., 19 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.
Gjithashtu, janë sekuestruar aparate celulare të përdorura nga këta individë si prova materiale. Materialet janë dërguar në prokurori për hetime të mëtejshme.