Pas rreth 60 minutash në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, gazetarët e kronikës Artan Hoxha dhe Elton Qyno janë larguar me dosje dhe çanta në duar. Ata u paraqitën sot në SPAK, pas operacionit të zhvilluar në Elbasan, ku përballeshin me akuzat e ngritura ndaj tyre.
Gjykata vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për të dy gazetarët.
Artan Hoxha akuzohet si “anëtar i organizatës kriminale”, ndërsa për Elton Qynon është ngritur akuza për korrupsion. Më herët, për Hoxhën ishte kërkuar masa e “arrestit shtëpiak”, por kjo masë nuk u miratua.
Gjatë daljes nga SPAK, Hoxha dhe Qyno pranuan se ishin kontrolluar në banesat e tyre, ku u janë sekuestruar telefonat celularë.
Ndërkohë, Hoxha tha: “S’na kanë arrestuar akoma”, duke nënkuptuar se hetimet janë ende në vazhdim.
Ndërkohë, gjatë qëndrimit të tyre në SPAK, ata mbajtën dosje që dyshohet se përmbajnë informacion lidhur me hetimet dhe procedurat e nisura.