Pas një periudhe të ngadalësuar, aplikimet për azil kanë treguar një rritje të lehtë gjatë muajve të verës.
Sipas të dhënave nga Eurostat, në muajin gusht janë regjistruar 590 kërkesa për azil, duke shënuar nivelin më të lartë që nga maji.
Megjithatë, numri i përgjithshëm i aplikimeve për azil mbetet ende i ulët në krahasim me vitet e kaluara.
Për periudhën janar-gusht, janë regjistruar gjithsej 4900 aplikime për azil nga shtetas shqiptarë, një rënie prej 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe afërsisht gjysma e nivelit të vitit 2022, kur u regjistrua kulmi i kërkesave për azil në vitet e fundit.
Shtetet që vazhdojnë të jenë më të preferuara për kërkesat për azil janë Franca, Gjermania dhe Italia.
Ndërkohë që aplikimet për azil kanë pësuar një rënie, kanali i emigracionit ka evoluar në drejtim të punësimit. Sipas të dhënave të tjera nga Eurostat, numri i lejeve të qëndrimit për punë që shtetet e Bashkimit Europian kanë dhënë për shtetasit shqiptarë ka njohur një rritje të dukshme pas pandemisë.
Në vitin 2022, u regjistrua një nivel rekord prej 21,000 lejesh pune, që nga vitit 2013, dhe në vitin 2023, numri i lejeve të dhëna ka arritur në 17,600. Përkundër kësaj rritjeje, aplikimet për azil në vitin 2023 kanë qenë rreth 9,100.