Në kuadër të Ditës Europiane kundër Dhunës dhe Shfrytëzimit Seksual të Fëmijëve, Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA) ka bërë publike të dhëna alarmante.
Sipas studimeve të publikuara nga CRCA, në Shqipëri, 60 mijë fëmijë dhe adoleshentë janë viktima të dhunës seksuale, si në format online ashtu edhe offline, në jetën e përditshme. Në kuadër të Ditës Botërore për Parandalimin e Dhunës dhe Shfrytëzimit Seksual të Fëmijëve, një koalicion prej 77 organizatash që punojnë për të drejtat e fëmijëve ka bërë thirrje urgjente për parlamentet e shteteve europiane, përfshirë dhe atë shqiptar, që të miratojnë ligje të domosdoshme për të mbrojtur fëmijët nga dhuna, abuzimi dhe shfrytëzimi.
Sinkron Altin Hazizaj, Qendra për të Drejtat e Fëmijëve, Shqipëri: Europa po përballet me një krizë abuzimi seksual të fëmijëve. Të dhënat në dispozicion tregojnë se rreth 1 në 5 fëmijë në Evropë kanë përjetuar një formë të dhunës seksuale. Në Shqipëri, 1 në 10 fëmijë ka përjetuar një formë të dhunës dhe ngacmimit seksual, të paktën një herë në jetën e tij, saj. Kjo do të thotë se të paktën 60,000 fëmijë dhe adoleshentë në vend janë viktima të dhunës seksuale online dhe offline. Në internet, shkalla, ashpërsia e dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve kanë dalin jashtë kontrollit. Më shumë se gjysma e të rinjve raportojnë se kanë përjetuar një formë të dhunës seksuale online në fëmijërinë e tyre.
Më shumë se 100 milionë imazhe ose video të fëmijëve që dhunoheshin seksualisht u gjetën në internet vitin e kaluar, dhe kjo mund të jetë vetëm maja e ajsbergut. 98% e këtyre imazheve tregojnë fëmijë nën 13 vjeç – të cilët duhet të jetojnë me traumat e vazhdueshme të abuzimit të tyre që qarkullojnë në internet vazhdimisht. Në botën aktuale online dhe të parregulluar, fëmijët kontaktohen lehtësisht nga shkelësit, manipulohen për të ndarë imazhet e tyre intime dhe ju dërgohen përmbajtje të papërshtatshme.Kërkesat online ndaj fëmijëve për aktivitete seksuale (e njohur si ‘joshja’) u rrit me më shumë se 300% midis viteve 2021 dhe 2023. Fëmijët e moshës 3-6 vjeç janë duke u joshur dhe detyruar të angazhohen në sjellje seksuale, duke përfshirë aktivitetet penetruese dhe sadiste, nëpërmjet webcams.
Në Shqipëri, Kuvendi që prej muajit Shkurt mban në sirtarët e tij, pa asnjë shpjegim apo arsye, propozimet e CRCA Shqipëri për ndryshime në Kodin Penal për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna seksuale. Këto propozime as janë marr në shqyrtim dhe as janë miratuar, ndonëse po bëhet thuajse një vit që prej dorëzimit të tyre! Pyetja që ne kemi për Kuvendin dhe posaçërisht për Komisionin e Ligjeve është: Nëse ju nuk mbroni fëmijët, atëherë kë jeni duke mbrojtur?