Në të njëjtën ditë kur Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë pretendimet e Sali Berishës për shfuqizimin e masës së sigurisë “detyrim për paraqitje”, ish-kryeministri hapi një çështje të re në Gjykatën e Lartë.
Kjo gjykatë regjistroi një kërkesë tjetër për lirimin nga “arresti shtëpiak” për Berishën, i cili po përballet me akuzat e SPAK për “korrupsion”.
Masa e arrestit shtëpiak ka qenë në fuqi për të që nga 30 dhjetori 2023.
Rekursi i fundit, i firmosur nga Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, të dy të akuzuar në çështjen “Partizani”, kundërshton vendimin e Apelit të Posaçëm të 18 qershorit, që kishte refuzuar lirimin e tyre nga masa e arrestit shtëpiak.
Kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë ishte paraqitur në një seancë informimi periodik dy-mujor mbi hetimin e SPAK.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me relator gjyqtarin Sokol Binaj, do të shqyrtojë këtë kërkesë, edhe pse data e seancës nuk është caktuar ende.
Kjo është përballja e tetë që Berisha ka pasur në Gjykatën e Lartë që nga shkurti 2024, pas shtatë kërkesave të mëparshme që janë refuzuar.
Ndërkohë, Berisha pret një vendim nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka regjistruar një tjetër ankim të tij kundër masës së arrestit shtëpiak.
Së fundmi, Kushtetuesja e kishte cilësuar të ligjshme masën e “detyrimit për paraqitje”, ndërsa kishte shfuqizuar masën e “ndalimit të daljes jashtë shtetit”.
Të hënën, më 25 nëntor, Gjykata e Posaçme do të shqyrtojë në një seancë paraprake kërkesën e SPAK për kalimin në gjykim të Berishës, Malltezit dhe bashkëpandehurve të tyre në çështjen “Partizani”.