Engjëll dhe Florina, prindërit e 14-vjeçarit të vrarë, me lot në sy kanë rrëfyer momentin kur mësuan lajmin tragjik.
Në mes të dhimbjes, ata deklaruan se djali i tyre nuk kishte shfaqur asnjë shqetësim dhe nuk kishte përmendur konfliktin që po përjetonte në shkollë.
Babai i tij, tregoi se kishte biseduar me të birin një natë para ngjarjes dhe se lajmin e hidhur e mori ndërsa ishte në punë.
Babai: Unë rastësisht po punoja në një hotel dhe më merr nusja në telefon dhe më thotë se Martini ka shkuar në spital. Unë gjithmonë mendoja se mund të ketë bërë ndonjë sherr të vogël ose mund pas ndonjë goditje, ndonjë diçka. Morëm mësuesen nuk më përgjigjet, e morëm përsëri e hap telefonin. Marr një kolegun tim aty dhe iki te spitali Ushtarak. Më thanë që djali juaj është në sallën e operacionit dhe është goditur vetëm njëherë dhe ka mundësi të shpëtojë. Pas një ore, ose pas gjysmë ore nuk e di se isha shumë i tronditur, më thirrën doktorët dhe më thonë që nuk mundi të mbijetonte Martini, ishte prekur zemra.
Mamaja: Po kishte ndodhur një sherr. Pse, nuk e dimë, arsyen nuk e dimë. Ishte i qetë si gjithmonë.
Nuk bënte sherr me njeri dhe kur luante futboll, nuk bënte sherr. Ishte njeri.. ishte lider, lider. Martini deri në klasën e 6 ka qenë me krejt 10 me fleta lavdrimi, pastaj vazhdoi sportin dhe do bëhem si Ronaldo thoshte, mirë i thoshim ne. E çonim në stërvitje, ikte me shokët, vinte. Do bëhem si Ronaldo, do bëhem i famshëm baba, thoshte. Unë jam i dashur, jam njësh.