Ditën e sotme po zhvillohet një seancë maratonë në Gjykatën Kushtetuese, ku po diskutohet çështja e Sali Berishës, e cila ka nisur që prej orës 12:30.
Seanca e cila nisi të martën, ka pasur për qëllim shqyrtimin e kërkesës së Berishës për shfuqizimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie”, por pas disa orësh, ajo u shty për të vazhduar këtë të enjte.
Sipas burimeve, seanca po zhvillohet pa praninë e palëve, ndërkohë që gjyqtarët janë ata që po shqyrtojnë materialet shkresore.
Kreu i Partisë Demokratike kërkon që të lirohet, duke argumentuar se vendimi për arrestin në shtëpi është në kundërshtim me Kushtetutën, pasi, sipas tij, është shmangur Kuvendi, duke qenë se ai është deputet.
Nga ana tjetër, SPAK ka sqaruar se masa e sigurisë ndaj tij në atë kohë nuk e pengonte Berishën të vazhdonte jetën e tij politike dhe angazhimet e tij.
Sali Berisha është nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” që nga data 30 dhjetor 2023, në kuadër të çështjes “Partizani”, dhe kërkesat e tij për lirim kanë dështuar në gjykatat më të ulëta.