Deputeti i PD-së, Asllan Dogjani, është paraqitur sërish në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).
Ende nuk janë zbardhur arsyet e thirrjes së tij, por në një deklaratë të dhënë më 4 nëntor, Dogjani sqaroi se hetimi lidhet me pasurinë e tij, konkretisht me një shtëpi që ai ka blerë. Kadastra ka anuluar legalizimin e kësaj pasurie pas ndryshimit të drejtorit të institucionit, duke kufizuar përdorimin e saj për 99 vjet.
Deputeti theksoi se ka ardhur në SPAK për të denoncuar korrupsionin dhe për të shpjeguar abuzimet që, sipas tij, po bëhen me pasurinë publike. Ai foli për një individ që, siç e quan ai, është “mashtrues” dhe që ka përdorur pasurinë publike për interesa personale, duke abuzuar me kopshtin dhe pjesë të tjera të pallatit.
Dogjani shtoi se një nga pronarët e truallit ka një borxh prej 100 mijë eurosh dhe një tjetër është detyruar të largohet nga shtëpia dhe tani jeton me qira. Ai shprehu shqetësimin se, si deputet, nuk ka mundur të gjejë një zgjidhje për këtë çështje për shkak të mos reagimit të shtetit. Dogjani nënvizoi se në një vend tjetër, një deputet që denoncon korrupsionin do të duhej të merrte mbështetje nga shteti, përndryshe ai do të përballej me akuzat për kallëzim të rremë.