Ka nisur protesta e paralajmëruar pas vrasjes të 14-vjeçarit Martin.C nga bashkëmoshatari i tij pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë.
Qindra prindër dhe qytetarë janë mbledhur për të kërkuar drejtësi për Martinin, i cili u ekzekutua nga një bashkëmoshatar i tij, në një ngjarje tragjike që tronditi jo vetëm familjen, por të gjithë shoqërinë.
Me lot në sy dhe foto të Martin Canit në duar, ata shprehin shqetësimin e thellë për rrezikun që paraqitet në shkolla dhe kërkojnë veprime të menjëhershme nga shteti për të parandaluar vrasjet dhe dhunën. “Martin Cani një fëmijë më pak, një dështim më shumë”, “Pse bën sikur jeton në një vend normal?” dhe “Heshtja jonë po na vret fëmijët. Sa viktima duhen që ne të ngremë zërin?” ishin disa nga pankartat që mbajti turma.
Protestuesit kërkuan dënimin maksimal për autorët dhe masa më të rrepta për sigurinë e nxënësve në shkolla. Në mes të protestës, një nga të pranishmit kërkoi dënim kapital për autorin e krimit dhe theksoi se “shteti duhet të veprojë tani, të mos lejojë më që fëmijët të paguajnë çmimin e një shoqërie të sëmurë”.
Të pranishëm ishin edhe shumë prindër të nxënësve të tjerë, të cilët kërkuan që incidentet e tilla të mos ndodhin më dhe të sigurohet një mjedis më i sigurt për fëmijët. Protesta vazhdoi për disa orë, ndërsa autoritetet lokale dhe shkollore ishin në vëzhgim të ngjarjes.