Një shtetas italian, i dënuar për trafik droge në Shqipëri, ka ndërruar jetë në Spitalin Onkologjik të Tiranës.
Viktima është Cristiano Trapani, i lindur në Torrice dhe banues në Frosinone, Itali.
Ai u transferua mëngjesin e datës 19 nëntor 2024 në këtë spital, ku ka ndërruar jetë pas një arresti kardiak.
Trapani kishte qenë i shtruar më parë në Qendrën Spitalore të Burgjeve (QSB) që nga data 28 tetor 2024, me diagnozën “Limfadenopati për determinim”.
Gjatë qëndrimit të tij në QSB, ai ka kaluar një sërë ekzaminimesh laboratorike dhe imazherike.
Pas konsultimeve me ekipin mjekësor, ishte vendosur që të kryhej një ndërhyrje kirurgjikale për marrjen e biopsisë, e cila do të realizohej në Spitalin Onkologjik.
Shtetasi italian vuante një dënim prej 8 vitesh për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”.
Ky dënim ishte shpallur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër më 16 nëntor 2022, sipas nenit 283/a-22 të Kodit Penal shqiptar.
Gjithashtu, në shtator të këtij viti, Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër kishte konfirmuar ligjshmërinë e arrestit të tij për akuzat e njëjta.
Drejtoria e Burgjeve njoftoi se Cristiano Trapani, me të dhënat personale: Umberto (atësia) dhe Panicia Santa (mëmësia), i lindur më 09.11.1960, ka ndërruar jetë më 19 nëntor 2024, rreth orës 11:30, në Spitalin Onkologjik “Nënë Tereza” në Tiranë, pas një arresti kardiak, gjatë periudhës që ai ndodhej në statusin e të paraburgosurit dhe ishte transferuar nga IEVP Shkodër.