Studimet e larta janë një mundësi e rëndësishme për të gjeneruar të ardhura nga jashtë dhe shumë shtete përpiqen të tërheqin studentë nga vende të tjera për të përfituar nga kjo mundësi.
Megjithatë, Shqipëria ka një numër të ulët studentësh të huaj, duke renditur kështu ndër vendet me më pak studentë të huaj në Europë. Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2022, Shqipëria kishte vetëm 1,872 studentë të huaj, një numër që është shumë më i ulët se vendet e tjera të Ballkanit dhe të Europës.
Në krahasim, Maqedonia e Veriut ka rreth 4,700 studentë të huaj, ndërsa Serbia ka mbi 11,200.
Po ashtu, vendet më të zhvilluara të Europës, si Franca, Gjermania dhe Turqia, kanë një prani shumë më të madhe të studentëve të huaj. Vetëm në vitin 2022, Franca kishte mbi 263,000 studentë të huaj, Gjermania 252,000, dhe Turqia 244,000, ndërsa Polonia, Spanja dhe Italia gjithashtu kishin rreth 90,000 studentë të huaj secila.
Në këtë kuadër, Shqipëria ka një pozicion të dobët në hartën europiane të arsimimit të lartë. Megjithëse ofron kosto të ulëta të jetesës, duke e bërë atë një mundësi tërheqëse për studentët e huaj nga vendet me nivel të lartë të jetesës, niveli i arsimit të lartë nuk është konkurrues krahasuar me shumë shtete të tjera europiane. U
niversitetet shqiptare renditen në pozita të ulëta në listat e akreditimeve ndërkombëtare, dhe vlerësimet për cilësinë e arsimit janë të ulëta.
Ekspertët e arsimit sugjerojnë që Shqipëria duhet të fokusohet në përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë për të frenuar fenomenin e largimit të të rinjve për të studiuar jashtë. Sipas të dhënave të OECD-së, rreth 18,000 studentë shqiptarë studiojnë aktualisht jashtë vendit, një fenomen që tregon për humbjen e potencialit të shoqërisë shqiptare dhe pasojat për zhvillimin afatgjatë të vendit.
Universitetet private në Shqipëri po përpiqen të diversifikojnë ofertat e tyre dhe të krijojnë programe tërheqëse për studentët e huaj. Kjo është një mundësi për t’i dhënë shtysë sektorit të arsimit të lartë, por për këtë, Shqipëria duhet të përmirësojë cilësinë e programeve dhe të bëjë përpjekje për të pozicionuar universitetet shqiptare si mundësi tërheqëse për studentët ndërkombëtarë.