Esmeralda Duro, bashkëshortja e mësuesit të akuzuar për ngacmim seksual ndaj dy nxënëseve 14-vjeçare, Bledar Duro, ka dhënë një intervistë në Euronews Albania ku adresoi situatën e vështirë që po kalon familja e tyre.
Sipas saj, veprimet e bashkëshortit kanë qenë rezultat i varësisë së tij nga alkooli, për të cilën ai është trajtuar në spital disa herë.
Ajo theksoi se, për shkak të problemeve me alkoolin dhe gjendjes së rënduar psikologjike të tij, gjykata duhet të marrë parasysh këto rrethana në vlerësimin e çështjes.
Në deklaratën e saj, Esmeralda shprehu keqardhjen dhe kërkoi ndjesë për opinionin publik, sidomos për komunitetin e Korçës, duke vënë në dukje se Bledar Duro ka qenë mësues prej 25 vitesh dhe i njohur për përkushtimin e tij ndaj nxënësve.
Ajo përmendi gjithashtu se Bledari ka qenë në një gjendje depresive dhe të ankthshme për një vit, duke theksuar se ai ka nevojë për rehabilitim dhe ndihmë mjekësore.
Esmeralda i kërkoi gjykatës që ta marrë parasysh këtë rrethanë në vendimin që do të merret për çështjen.