Në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë ka nisur një debat intensiv lidhur me marrjen në pyetje të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Edhe pas një pushimi të shkurtër, debatet midis anëtarëve të komisionit kanë vazhduar me tension.
Kryetarja e komisionit, Albana Vokshi, ka akuzuar deputetin socialist Plarent Ndreca se ka bashkëpunuar me avokatin e Beqajt për të përgatitur një skenar që synon të pengojë dëshminë e ish-ministrit.
Sipas Vokshit, ky veprim synon të shmangë zbardhjen e fakteve që lidhen me hetimin për abuzimet e mundshme në shëndetësi.
Pjesë nga debati:
Petrit Vasili: Komisioni Hetimor nuk është work shop. Gjatë pyetje dhe përgjigjeve shumë gjëra mund të hidhen dritë edhe në këndvështrimin që ka dëshmitari. Kjo këmbëngulje e kotë e pakuptimtë.
Albana Vokshi: Meqë siç e përmendi Vasili pjesa më e rëndësishme e komisionit është marrja në pyetje, propozoj të vijë dëshmitari të fillojë me pyetjet. Të na e vërë në dispozicion, ta kemi parasysh prezantimin e zotit Beqaj. Nëse keni dëshirë që ky komision të vijojë me pyetje, nuk shoh arsye të keni rezerva.
Plarent Ndreca: Nuk është propozim i ri, e bëre në Kryesi dhe nuk ramë dakord. Nuk vëmë në diskutim seancën pyetje përgjigje.
Albana Vokshi: Atë po ndaloni ju. Ky është skenari që ke përgatitur.
Plarent Ndreca: Unë skam planifikuar asgjë, skam lidhje me këtë gjë. S’kam asnjë skenar dhe as nuk ja kam idenë. Ajo që po të them është që pyetjet përgjigje nuk ti kemi vënë në diskutim.
Albana Vokshi: Ligji e thotë deklaratë jo prezantim. Ta bëjë te burgu, gjykata ose në Surrel. Këtu jo.
Plarent Ndreca: Pse ndërpret, pse ke frikë. E di që je gabim, je duke thyer ligjin, Ju e keni një plan, ju e doni brenda kornizave që keni ju. Ligji thotë deklaratë e kontekstualizuar. Këtë ligjin e shpikni ju. Është abuzim se doni të shkoni drejt një axhendë që e keni paracaktuar.
Albana Vokshi: Kishe përgatitur ti me avokatin, që jo rastësisht është edhe i joti edhe i Beqajt, kishit përgatitur këtë skenar. Do ta lini shtetasin Ilir Beqaj që të vijë dhe tu përgjigjet pyetjeve.