Qeveria ka shpallur fillimin e procedurës për aplikime për një vend vakant në Këshillin Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).
Vendi vakant është krijuar pas përfundimit të mandatit të Tomi Frashërit, i cili shërbeu si Kryetar i Këshillit Drejtues të AKEP që nga viti 2019, kur zëvendësoi ish-kryetarin, Ilir Zela.
Sipas ligjit “Për komunikimet elektronike”, Këshilli Drejtues përbëhet nga pesë anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi, me propozimin e Këshillit të Ministrave, për një periudhë pesëvjeçare dhe mund të rizgjidhen vetëm një herë. Ndër këta anëtarë, Kuvendi zgjedh kryetarin, i cili është edhe drejtuesi ekzekutiv i AKEP-it.
Kriteret për kandidatët janë të përcaktuara në ligj dhe përfshijnë ndalimin e lidhjeve familjare deri në shkallë të dytë me anëtarët e Këshillit të Ministrave, përjashtimin e personave të dënuar për vepra penale, dhe përjashtimin e personave me interesa ekonomike që mund të përbëjnë konflikt interesi. Kandidatët gjithashtu duhet të japin dorëheqjen nga çdo post zyrtar dhe të largohen nga aktivitetet private fitimprurëse në rast të përzgjedhjes.
Afati për dorëzimin e aplikimeve është 22 nëntor 2024, ndërsa ky përfundim mandati përkon me procesin e dhënies së të drejtave për përdorimin e frekuencave të para për teknologjinë 5G.
Deri më tani, AKEP ka marrë oferta nga operatorët ekzistues, Vodafone Albania dhe One Albania, për brezat e frekuencave në rangun 3400-3800 MHz. Çmimet minimale për blloqet e frekuencave ishin 3.624 milionë euro për blloqet 80 MHz dhe 1.812 milionë euro për blloqet 40 MHz./Monitor