Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë nga “detyrim paraqitje” në “arrest me burg” për tre shtetas: Voltan Shkulaku, Leonidha Guçe dhe Arjan Manellari. Ata akuzohen për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, kryer në bashkëpunim.
Sipas policisë, të tre ishin të pranishëm gjatë vrasjes së 42-vjeçarit Egli Proga në Pogradec më 10 gusht, por nuk e kallëzuan krimin, duke penguar kështu zbardhjen e së vërtetës. Proga, babai i dy fëmijëve, u vra nga Denis Meçe rreth orës 19:00 në lagjen nr. 2 të qytetit.
Prokuroria ka deklaruar se vendimi për ndryshimin e masës së sigurisë erdhi pasi u zbulua se kishte pasur ndërhyrje në kamerën e sigurisë së lokalit ku ndodhi vrasja. Aktualisht, po punohet për të rikthyer pamjet e filmuara.
Avokati Esmerald Xhafa, i cili mbron dy nga të akuzuarit, e ka quajtur vendimin “absurd” dhe pretendon se nuk ka prova që klientët e tij të kenë lidhje me akuzën. Ai shtoi se mbrojtja nuk është njohur ende me akt-ekspertimin e ri që Prokuroria pretendon se ekziston.
Ngjarja vazhdon të hetohet, ndërsa autoritetet po përpiqen të zbardhim plotësisht rrethanat e vrasjes së Egli Progës.