Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ka dhënë një përditësim nga spitali ku po marrin trajtim efektivët e lënduar gjatë protestës së opozitës. Ai njoftoi se nga 10 policë të lënduar, tre prej tyre ende janë në spital, ndërsa theksoi se asnjë protestues nuk ka pësuar dëmtime.
“Punonjësit e policisë kanë përjetuar dëmtime të lehta. Disa prej tyre janë rikthyer në shtëpi, ndërsa tre janë ende nën kujdesin e mjekëve. Menaxhimi i protestës ka qenë në përputhje me ligjin,” deklaroi Hoxha. Ai theksoi se reagimi i Policisë së Shtetit ishte në përputhje me standardet europiane. “Policia do të vazhdojë të jetë e angazhuar për të përballuar çdo situatë proteste. Kjo protestë kishte elemente dhune, dhe në situata kur punonjësit e policisë përballen me rrezik, do të ketë një reagim të nevojshëm,” shtoi ai.
Hoxha theksoi se “nuk po them se do të kemi një reagim më të ashpër,” por përfundoi se “Policia e Shtetit ka vepruar sipas standardit të një policie europiane, përkundër natyrës së dhunshme të protestës.”
Ndërkohë nuk ka vonuar reagimi i drejtuesit politik i PD për Tiranën, Belind Këlliçi. Ky i fundit ka hedhur akuza ndaj ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili mohoi lëndimin e qytetarëve nga policia e shtetit.
Këlliçi solli rastin e një qytetari i cili ishte djegur nga një lëndë piroteknike e hedhur nga një polic në drejtim të tij. Më tej Këlliçi theksoi se përgjigjja përgjigja e opozitës ndaj dhunës së policisë së shtetit do të jetë proporcionale në ditët në vijim.
“Janë dhunuar në mënyrë shtazarake qytetarët nga policia e shtetit. Zëdhënësi i krimit të organizuar dhe trafikut të drogës që ka shkuar sot në policinë e shtetit ka dhunuar protestuesit. Janë dhunuar qytetarët me gaz lostjellës, edhe drejtuesit e PD. Sot sjellja e policisë sot ka qenë shtazarake. Sjellja e qytetarëve ka qenë proporcionale më atë çfarë ne kishim paralajmëruar. Kjo sot ishte vetëm kapitulli i parë i mosbindjes civile.”,- tha Këlliçi