Bashkia e Tiranës vijon të gllabërojë miliona euro për çështjen e mbetjeve. Kjo sepse tenderat e zhvilluar nga kompania publike shqiptaro-italiane “Eco Tirana”, e cila është ngarkuar së fundmi për të pastruar të gjithë kryeqytetin shqiptar. Të gjithë tenderat më të shtrenjtë fitohen nga kompania italiane, në mungesë totale të një gare reale. Të gjitha këto tendera ku përfshihen edhe kompani të tjera italiane tenderohen me anë të kompanisë publike Eco Tirana cila zotërohet në 51 përqind nga Bashkia e Erion Veliajt.
Kompania italiane “C.S.T di Segattini Emanuela” e cila së fundmi ka marrë një tender pa garë për të blerë makina larëse për kazanët e mbeturinave.
Së fundi, Eco Tirana, e cila zotërohet në 51 përqind nga Bashkia e Erion Veliajt, ka shpallur shoqërinë “C.S.T di Segattini Emanuela” fitues në tenderin për “Blerje makina larëse kazanësh, me fond limit rreth 320 mijë euro. Të dhënat zyrtare tregojnë që në këtë procedurë nuk ka pasur asnjë konkurent tjetër, përveçse fituesit nga Verona. Në fund të Gushtit 2024, kompania “Eco Tirana” mbylli një tender me fond limit 187 milionë lekë të reja ose rreth 1.8 milionë euro për “Blerje kazanë 1700 litra”. Këtë procedurë e fitoi kompania italiane me seli në Modena, “Oficina Fiandri”. Edhe në këtë rast, shoqëria fituese ishte pjesëmarrëse e vetme në tender.
Po në gusht të këtij viti, shoqëria italiane nga Vinceza, “Autobren” fitoi një tender pa garë të “Eco Tirana” për “Blerje kompaktues”, me fond limit 313 milionë lekë të reja ose rreth 3.1 milionë euro. E njëjta shoqëri, “Autobren” fitoi pa garë një tjetër tender të zhvilluar nga shoqëria publike e pastrimit të mbeturinave në Tiranë, me objekt “Blerje makina fshesë”, me fond limit 12 milionë lekë të reja ose rreth 120 mijë euro.
Kompania “Eco Tirana” u krijua në vitin 2016, pas një marrëveshjeje mes kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe homologut të tij të asaj kohe nga Verona, Diego Testi. Sipas marrëveshjes, Bashkia e Tiranës zotëron 51 përqind, ndërsa një shoqëri publike italiane, ‘Agsm” mban 49 përqind të aksioneve.
Krijimi i kësaj shoqërie është shoqëruar me dyshime të shumta. Anëtarë të partnerit italian, përfshirë edhe ish-kryebashkiakun e Veronës, Diego Testi, janë marrë nën hetim nga autoritetet e vendit fqinj, për bashkëpunim me klanin mafioz “Ndrangheta”. Në nëntor të vitit 2023, Këshilli Bashkiak i Tiranës, vetëm me votat e socialistëve, miratoi vendimin që i kalonte në dorëzim shoqërisë “Eco Tirana” pastrimin e të gjithë zonave të kryeqytetit. Kjo lëvizje ka krijuar një emergjencë të theksuara mjedisore, pasi, duket se “Eco Tirana” nuk është në gjendje të kryejë shërbimin.