Prokuroria e Pejës dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar se një shtetas nga Shqipëria është arrestuar për drogën e zbuluar në fshatrat Kliçin dhe Sferkë, ndërsa janë shpallur në kërkim mbi gjashtë persona të tjerë. I arrestuari, sipas hetimeve, ka shërbyer si punëtor. Në një konferencë për media në vendin ku u gjet droga, togeri Astrit Jasiqi informoi se hetimi ka zgjatur mbi dy muaj. Ai theksoi se sasia dhe vlera e drogës mund të ndryshojnë, pasi janë ende në fazat fillestare të hetimit. “Këto dy lokacione ku kemi realizuar veprime hetimore janë të njohura për kultivimin e kanabisit në përmasa të mëdha. Jemi duke përpunuar vendin e ngjarjes dhe në vlerësimet tona, sasia dhe vlera mund të jenë më të larta. Një nga plantacionet është kultivuar në një nivel që një bimë kanabisi mund të japë deri në gjysmë kilogrami produkt marihuane. Ky ka qenë një hetim i gjatë, mbi dy muaj, i koordinuar me njësitet përkatëse të Policisë. Një person është arrestuar, shtetas shqiptar, i cili ka punuar në këto dy parcela. Po ashtu kemi edhe persona të tjerë të dyshuar, të cilët janë në fazën e kërkimit dhe identifikimit. Për ta nuk kemi detaje të tjera,” deklaroi Jasiqi.
Ai gjithashtu njoftoi se hetimet mbi këtë rast kanë vazhduar për më shumë se dy muaj. Sipas tij, destinacioni i kanabisit ka qenë tregu ndërkombëtar dhe vlera e substancave narkotike është mbi 5 milionë euro.